Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

ALOPECIA

ALOPECIA - RËNIA E FLOKËVE

1. Të dhëna të përgjithshme mbi flokët.

Flokët luajnë një rol shumë të rëndësishëm në paraqitjen estetike të njeriut. Në varësi të periudhave të ndryshme kohore edhe krehjet e shumëllojshme kanë pasur rezultatet e tyre estetike. Kështu këto krehje përveç anës estetike kanë qenë edhe tregues i dallimit racor, ideologjik, kulturor, klasor, të moshës etj. Përkujdesi për flokët me mënyra dhe produkte në dukje të shtrenjta tregon vendin e rëndësishëm të flokëve në jetën tonë.

Çdo çrregullim i flokëve ndikon në anën psikologjike të njeriut, duke nisur që nga ankthi i thjeshtë e deri te paniku i pakontrolluar. Numri i përgjithshëm i qimeve në trupin e njeriut është 5.000.000, nga të cilat 1.000.000 gjenden në kokë. Flokët  përbëhen nga 100.000 – 150.000 qime me një dendësi mesatare prej 600 cm².

Qimet janë të shpërndara në të gjithë trupin me përjashtim të pëllëmbëve, shputave të këmbës, falangut të thoit tek gishtat, mukozave etj. Në shumicën e zonave të trupit sidomos tek femrat qimet janë të holla, të shkurtra, me pak ngjyrë dhe përbëjnë atë që e shprehim si push, ndërsa në kokë, në mjekër tek burrat qimet jane të gjata, të trasha dhe me ngjyrë.

Funksioni fiziologjik  i flokëve  përbëhet nga:

  1. Funksioni i ndjeshmërisë: Flokët përbëjnë një organ prekjeje ashtu si gjithë qimet e tjera të trupit.
  2. Funksioni i rregullimit të temperaturës: Flokët luajnë rol të rëndësishëm në ngrohjen e kokës gjatë muajve  të dimrit.
  3. Funksioni mbrojtës: Flokët mbrojnë kokën nga veprimi i rrezeve ( me natyrë kanceroze), nga veprimet mekanike (traumat), si dhe nga lëndët kimike(dermatiti).
  4. Funksioni estetik: Flokët e shumtë te gratë vënë në dukje natyrën femërore, ndërsa te seksi mashull burrërrinë. Qimet e mjekrës, sqetullave dhe organeve gjenitale janë karakteristika dytësore të seksit.

2. Çfarë është alopecia ose rënia e flokëve ?

Me termin alopeci kuptojmë mungesën ose reduktimin në numër të flokëve apo qimeve në zonat ku ato janë prezente normalisht. Është çrregullimi më i shpeshtë i qimeve dhe flokëve që shpesh shkakton shqetësime të rënda psikologjike.

Alopecitë ndahen në dy kategori të mëdha:

A). Alopecitë cikatriciale:

B). Alopecitë jo cikatriciale:

Foto 1. Alopecia cikatriciale. Kemi humbje të flokëve dhe hollim të lëkurës për shkak të Lichen Folikularis.

A) Alopecitë cikatriciale përbëjnë stadin e fundit të gjendjeve të ndryshme patologjike që përfundojnë me dëmtimin e folikulit të flokut. Këtu futen nje sërë sëmundjesh të trashëguara dhe të zhvillimit, faktorë të ndryshëm fizikë, sëmundje infektive, neoplazi dhe një sërë sëmundjesh të tjera të lëkurës si lichen planus, lupus erythematodes etj. Alopecitë cikatriciale ndahen edhe në primare dhe sekondare.

B).Alopecitë jo cikatriciale përfshijnë: a) Alopecitë fiziologjike, b) Alopecinë areata, c) Alopecinë androgenike, d) Alopecitë difuze nga faktorë të tjerë të ndryshëm, dhe e)Alopecitë traumatike.

Alopecitë jo cikatriciale ndahen edhe në alopeci të lokalizuara ose difuze. Alopecitë difuze nga veprimi i faktorëve të ndryshëm mund të klasifikohen në bazë të trihogramës ose të faktorit dëmtues. Kështu flasim për alopecinë telogenike, anagenike ose mikse.(Shih Trichogramën ne Laboratorin e Dermatologjisë). Gjithashtu kemi alopeci difuze në varësi të shkakut si alopeci në çrregullimet endokrine, nga barnat dhe lëndët kimike, nga çrregullimet e metabolizmit dhe të ushqyerit si dhe alopecinë difuze kronike. Në alopecitë traumatike hyjnë trichotilomania dhe alopecia nga tërheqja.

3. Si bëhet diagnoza e alopecisë ?

Kërkon një anamnezë të kujdesshme për të bërë të mundur gjetjen e faktorëve shkaktarë ose që ndihmojne në shfaqjen e alopecisë. Biopsia shpesh ndihmon në diagnozën sidomos të alopecive cikatriciale. Ekzaminimet e ndryshme laboratorike ndihmojnë në përcaktimin e faktorëve shkaktarë.

Në ekzaminimet laboratorike të flokut dhe qimes hyjnë: trihograma, studimi i trupit të flokut, studimi i fundit të lirë të flokut, të keratinociteve dhe studimi i forcës së shkuljes së flokëve.

4. Alopecia areata (Alopecia me vatra).

Alopecia areata është një alopeci jo cikatriciale që shprehet me vatra të humbjes së flokëve në kokë ose në trup, me një bazë imunologjike dhe me dekurs të pa parashikueshëm. Eshtë sëmundje beninje por që shkakton probleme te thella psikologjike.

Rreth 0,1-1% të popullatës preket nga një forme e Alopecisë Areata. Nuk ka diferenca midis sekseve të ndryshme. Zakonisht fillon ne moshë të vogël.

Shfaqet me pllaka të rrumbullakta ose vezake, në mënyrë akute, kryesisht në scalp, por edhe në zona të tjera me qime. Lëkura është e pastër dhe pa shenja inflamacioni. Në varësi të shpërndarjes së vatrave kemi edhe forma të ndryshme klinike. Kur kemi një ose disa pllaka të vogla flasim për Alopecinë me pllaka, e kufizuar. Kur prek në një hapësirë më të madhe zonën e pasme me atë anësore të kokës flasim për Ofiasis.

Kur kemi humbjen e plotë të flokëve, vetullave, qerpikëve dhe qimeve të mjekrës kemi të bejmë me Alopecine Totale. Kur kjo formë shoqërohet me humbjen e gjithë qimeve në trup, atëhere flasim për Alopecinë Universale.

Në historinë e sëmundjes përqëndrohet vëmendja në fillimin e menjëhershëm të saj, në faktorët e ndryshëm shpërthyes si edhe në gjendjet e ndryshme patologjike që është vërejtur se shoqërojnë alopecinë areata. Kërkojmë faktorë shpërthyes si ngjarje të rëndësishme të jetës, sëmundje febrile, barna, shtatëzani, trauma dhe ngjarje të tjera ose sëmundje shoqëruese si dermatitis atopik, vitiligo, diabeti, sëmunjde të tiroides, ngjarje stresante, hipertensioni etj. Ekzaminimet laboratorike nuk ndihmojnë në diagnozë, por mund të rekomandohen për diagnozën diferenciale, për zbulimin e faktorëve shpërthyes ose të sëmundjeve shoqëruese. Trihograma përreth vatrës paraqet rritje të flokëve në telogjen.

Rezultatet e mjekimit të alopecisë areata variojnë, ndërsa mbështetja psikologjike është e domosdoshme për shkak të stresit të madh që shkakton. Mjekimi më efektiv sot konsiderohet imunoterpia lokale me DNCB (Dinitrochlorbenzen), DCP (Diphenylcyclopropenone), SADBE (Acidi dibutilester). Kortizoni eshte një nga mjekimet e mundshme lokalisht ose edhe me injeksione. Referohen edhe mjekime të tjera me minoxidil, anthralinë, phenol etj., ose komplekse vitaminash, por mjekimi i alopecisë areata ështa një sfidë e çdo dermatologu dhe duhet gjykuar në mënyrë individuale për çdo rast.

Në shumicën e rasteve prognoza është e mirë dhe kemi zhdukjen e vatrave për një periudhë disa mujore.

Foto. 2. Alopecia me vatra (Alopecia areata)

5. Alopecia difuze

Humbje difuze (e shpërndarë), graduale dhe pa shenja të dukshme. Është problem i shpeshtë veçanërisht tek gratë. Shkaktohet nga një numër shumë i madh faktorësh.

Alopecitë difuze klasifikohen:

I. Alopecia difuze androgjenetike (tullacia).

II. Alopecia difuse jo androgjenetike:

A. E klasifikuar në bazë të trihogramës: Dy format kryesore janë 1. Anagen effluvium. 2. Telogen effluvium. Ka edhe një forme mikse.

B. E klasifikuar sipas shkaktarëve etiologjikë: a) Në çrregullimet endokrine. b) Nga barnat ose lëndët kimike. c) Në çrregullimet e ushqimit dhe metabolizmit. d) Alopecia difuze kronike nga faktorët endokrine, alopecia telogenike, nga faktorët kimikë, metabolikë, hepatitet dhe cirroza, Sëmundje të rënda kronike si neoplazite, sëmundja Hodgkin. Shkaqe të panjohura. e) Alopecite traumatike (Trichotilomania, dhe Alopecia nga tërheqja). d) Sifilizi.

 

Në çrregullimet endokrine  alopecia difuze shfaqet në: funksionin e ulur të hipofizës, në hipertireoidizëm, hipotireoidizëm, hipoparatireoidizëm, në diabet, e lidhur me shtatzëninë dhe gjatë marrjes së kontraceptivëve.

Lëndët kimike ose barnat që shkaktojnë alopeci difuze janë: kriprat e taliumit, barnat antitiroidiene, antikoagulantët, citostatikët, barnat antipsikotike (Triparanol, Fluorobutirophenon), Hipervitaminoza A (së bashku me retinoidët), acidi boric. Të tjera barna janë: bismuthi, trimetadoni, kontraceptivët, lithiumi, prirdostigmina, propanololi, metoprololi, levadopa, cimetidina.

Çrregullimet e ushqimit dhe metabolizmit shkaktojnë alopeci difuze nga insuficienca e proteinave (dieta, nënushqyerja), mungesa e hekurit edhe në mungesë të anemisë, mungesa e zinkut, mungesa e acideve yndyrore si dhe nga disa çrregullime të trashëguara të metabolizmit të aminoacideve.

Diagnoza e alopecisë difuze bëhet nëpërmjet një historiku të hollësishëm, analizave laboratorike për zbulimin e shkaktarëve të mundshëm si edhe nëpermjet trihogramës.

Mjekimi bëhet në varësi të formës dhe shkaktarit.

Foto 3. Alopecia difuze. Dallohet qarte rrallimi i flokeve.

6. Alopecia androgjenetike.

Alopecia androgenetike është alopeci difuze e shpeshtë me zhvillim gradual. Është rezultat i veprimit të androgenëve (hormoneve mashkullore) në folikulin e flokut dhe në skalpin e njerëzve të predispozuar gjenetikisht. Tek burrat konsiderohet karakteristikë dytësore e seksit.

Alopecia androgenetike është shumë e përhapur, nuk prek vetëm burrat, por edhe gratë në një shkallë më të vogël.

BURRAT: Në 5 % të burrave fillon përpara moshës 20-vjeçare, si një rrallim simetrik në zonën anësore të ballit dhe një rrallim i lehtë në vijën e përparëshme që përbën tipin I. Rezultatet e sëmundjes duken qartë në dekadën e tretë të jetës ku shoqërohet me humbjen e paktë të flokëve në majë të kokës (tipi II). Me kalimin e kohës humbja e flokëve bëhet më e fuqishme në të dy vendet me tendencë bashkimi (tipi III). Tipi IV karakterizohet nga bashkimi i të dy zonave dhe kemi një humbje të plotë të flokëve në këto zona. Tipi V përcakton një humbje më të gjerë të flokëve dhe mbetet vetem në zonat periferike.

GRATE: Te gratë fillon më vonë dhe zhvillohet më ngadalë. Rrallimi i gjerë ndodhet më tepër në pjesën e sipërme të kokës. Flokët janë më të hollë dhe shtohet yndyra. Në moshën 40-vjeçare është më e shpeshtë  shfaqja e tipit  të I-rë të Alopecisë Androgjenetike dhe rrallë shoqërohet me hipertrihozë (shtim i qimeve). Tipet IV dhe V janë jashtëzakonisht te rrallë te gratë dhe në këto raste shoqërohen me hipertrihozë.

Mjekim përfundimtar nuk ka akoma. Tek meshkujt ndihmon Finasteridi nga goja. Te të dy sekset mund të përdoret minoxidili 2% dhe 5%. Në stadet e fillimit dhënia nga goja e ciproteronit açetat dhe ethinil estradiolit mund të ndihmojë gratë. Estradioli valerianik 0.05% mund të jepet te të dy sekset. Transplanti është zgjidhja përfundimtare e alopecisë androgjenetike në rastet e përzgjedhura me kujdes.

7. Alopecitë në bazë të trichogramës.

Dy format kryesore të përcaktuara në bazë të trihogramës janë:

1. Alopecia anagjenike.(Anagen effluvium).

2. Alopecia telogjenike (Telogen effluvium).

Telogjen effluvium. Alopeci difuze akute dhe e përkohëshme, për shkak të përfundimit të parakohshëm të fazës anagjen të flokut dhe të futjes së tyre në fazën e telogjenit. Kjo fazë shfaqet 3-4 muaj pas kalimit të ndonjë sëmundjeje, me humbje të flokëve në telogjen. Në telogjen effluvium dëmtimi është më pak i rëndësishëm.

Preken kryesisht gratë e moshës së mesme dhe të madhe.

Shfaqet me rënie të theksuar të flokëve 3-4 muaj pas veprimit të faktorëve dëmtues. Mund të bien nga 100-1000 flokë në ditë dhe pacienti është shumë i stresuar nga ky fakt. Vërehet rrallim shumë i shprehur.Vendoset në bazë të zbulimit të faktorit etiologjik i cili ka vepruar 1-4 muaj më parë. Trihograma tregon rritje të folikujve në fazën e telogjenit dhe ulje të tyre në anagjen.

Gjendja zakonisht rigjenerohet brenda disa muajve. Autorë të ndryshëm rekomandojnë biotinë ose preparate multivitaminash ose edhe minoxidil më tepër për shkak të gjendjes stresante të të sëmurit.  Kur zbulohet një shkak patologjik si p.sh. anemia feriprive, mjekimi për të ndihmon gjendjen e flokut.

Anagjen effluvium: Alopeci akute difuze që karakterizohet nga humbja e flokëve  që gjenden në fazën anagjen për shkak të ngadalësimit ose të ndërprerjes së zhvillimit.

Shkaqet më të shpeshta janë kimioterapia dhe radioterapia.

Ritmi i rënies së flokëve është më i shpejtë dhe më i shprehur deri në humbje të plotë. Fijet që mbeten jane të holla dhe  thyhen lehtë. Trihograma tregon flokët në fazën e anagjenit të rritur në përqindje.

Në shumicën e rasteve gjendja rigjenerohet mbas ndërprerjes së veprimit të faktorit shkaktar.

Foto 3. Anagjen effluvium. Grua në fazën e rigjenerimit të flokëve mbas kimioterapisë.