Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

ACNE

PUÇRRAT E RINISË: NJË PROBLEM JO VETËM KOZMETIK

 Puçrrat e rinisë janë një problem i shpeshtë në moshën e adoleshencës, por sa të përhapura janë ato sot ?

Puçrrat e rinisë ose siç quhen ndryshe Acne Juvenilis (në latinisht) dhe Akmi (në greqisht), përbëjnë një problem të madh të moshës së adoleshencës dhe jo vetëm të saj. Mendohet se në faza të ndryshme të jetës çdo njeri kalon një formë të rëndë ose të lehtë të acneve.  Sot llogaritet se 80% e adoleshentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kalojnë probleme të rënda ose mesatare të acneve. Në  bazë të të dhënave të Institutit të Studimeve Dermatologjike në Tiranë kjo sëmundje zë 10 % të punës në shërbimin ambulator. Në këtë aspekt duke parë shpeshtësinë, shenjat ose vragat që lënë në lëkurë edhe pas kalimit si dhe efektin e rëndë psikologjik si gjatë kohës së sëmundjes edhe pas saj, acnet përbëjnë një problem të rëndësishëm të çdo të riu.

Mund të na shpjegoni me pak fjalë se çfarë përfaqësojnë acnet ?

Acnet në thelb janë një sëmundje e gjëndrave të yndyrës. Duke qenë se përqëndrimi më i madh i këtyre gjëndrave është në fytyrë, gjoks edhe shpinë edhe semundja lokalizohet kryesisht në këto zona. Por për faktin se në fytyrë një gjendje e rëndë e acneve është e dukshme, fytyra është edhe zona që shqetëson të rinjte. Gjatë shfaqjes së tyre kemi një rritje të prodhimit të yndyrës. Kjo sasi e shtuar e saj që vështirësohet të drenohet dhe të dalë nga gjëndrat mbetet në grackë brenda saj. Duke ditur se gjëndrat drenohen nëpërmjet poreve të lëkures, ka rëndësi të kuptojmë se këto pore mund të jenë të hapura dhe formojnë ato që te gjithë i quajmë pika ta zeza, ose mund të jenë të mbyllura dhe formohen ato që quhen pika të bardha. Ky është edhe stadi i parë i acneve.

Foto 1. Formë e lehtë me pika të bardha.

Më tej çfarë ndodh ?

Te disa të rinj problemi ndalon këtu dhe mund të vazhdojnë shumë kohë me pikat e bardha dhe të zeza dhe shqetësimi për to shpesh varet nga individi. Por në shumë raste procesi zhvillohet më tej. Në procesin e sëmundjes përfshihen edhe mikrobet që gjejnë terren të favorshëm për t'u shtuar. Një nga mikrobet është propinobacterium acne, i cili është një mikrob saprofit, që do të thotë se gjendet gjithmonë në lëkurën tonë. Në këto raste duke gjetur terren të favorshëm shtohet së tepërmi dhe fillon procesi i inflamacionit (skuqja që shohim ne), që shoqërohet me qelb dhe më vonë formon stadin e fundit që jane cistet. Cistet janë puçrra të mëdha, të thella dhe të dhimbshme.

Foto 2. Zhvillim i metejshëm i acneve me inflamacion, fillimi i mbushjes me qelb.

Foto 4. Stadet e mëtejshme përfshijnë pustulat ose puçrrat me qelb të shkaktuara nga propinobacterium acne.

Foto 5. Acnet zhvillohen edhe në në zonat me numër të rritur të gjëndrave të yndyrës si fytyrë, gjoks edhe shpinë.

Foto 3.Cistet janë puçrra të mëdha, të thella dhe të dhimbshme.

 Pacientët duan të dinë edhe pse ndodh dhe mbahet i gjithë ky proces.

Në përgjithësi gjëndrat e yndyrës janë nën kontrollin e hormoneve seskuale mashkullore. Duhet të  kuptojmë se të gjithë njerëzit si femrat ashtu edhe meshkujt prodhojnë hormone si ato mashkullore ashtu edhe ato femërore. Në secilin person mbizotërojnë hormonet e seksit të cilit i përket. Kështu në disa raste te femrat shtohen hormonet mashkullore dhe kjo ndikon në zhvillimin e acneve. Një gjendje e tillë lidhet edhe me ato që quhen vezore policistike. Në shumicën e rasteve nuk ka ndonjë çrregullim të nivelit të tyre, por thjesht lëkura është më e ndjeshme ndaj këtyre hormoneve. Në raste të veçanta kemi edhe shkaqe të tjera siç janë produktet kozmetike, kimikatet, ilacet siç është kortizoni etj. Në këto raste largimi i shkakut sjell edhe shërimin e acneve.

Mund të na sqaroni më hollësisht a ka mjekim për to, apo të rinjtë janë të detyruar të presin shumë derisa të shpëtojnë nga acnet ?

Eshtë e këshillueshme që çdo i ri që ka probleme të tilla t’i drejtohet mjekut dermatolog dhe të bëjë një konsultë me të për të ditur gradën dhe shkaqet e tyre. Më tej është e këshillueshme të fillojë një mjekim, i cili mund të jetë lokal (me kremra ose solucione) dhe në stadet më të rënda me ilaçe nga goja. Sot ka ilaçe shumë rezultative të cilat e zgjidhin problemin dhe te rinjte mund të shpëtojnë prej tyre duke zgjidhur kështu edhe problemet psikologjike. Më tej është e këshillueshme të fillohet mjekimi sepse përsa kohë puçrrat ekzistojnë dhe zhvillohen aq më të mëdha janë edhe shenjat dhe vragat që mbeten me kalimin e tyre.

Cili është roli i dermatologut në mjekimin e tyre sepse shpesh të rinjtë ndikohen nga njeri- tjetri në marrjen e mjekimit.

Po është e vërtetë. Të rinjtë shpesh gabojnë në tre aspekte mbi mjekimin e acneve. E para mendojnë se mjekimi që ka bërë nje shoku ose shoqja e tyre do ta shëroje edhe atë vetë. Jo çdo ilaç vepron njësoj në dy individë të ndryshëm, dhe jo çdo individ ka të njëjtat shkaqe dhe të njëjtën gradë të sëmundjes. E dyta shohin shpesh reklama mbi produkte të ndryshme kozmetike në televizor apo edhe në revista që premtojnë parajsën, por në të vërtetë e shumta që bëjnë është një lehtësim shumë i paktë i simptomave. E treta është se mendojnë se problemin mund t’ua zgjidhi një mendim i farmacistit, i cili vërtet mund të dijë më shumë se shoku apo shoqja e tij, por nuk mund t’i ndihmojë që të shërohen. E gjithë kjo sjellje ka si rezultat në shumicën e rasteve rëndimin e gjendjes. Nuk merret ilaçi rezultativ, nuk vazhdohet për sa kohë duhet ai dhe rëndohet gjendja psikologjike sepse tashmë të rinjtë mendojnë se nuk ka më zgjidhje për problemin e tyre dhe janë të destinuar të jetojnë për shumë vjet në këtë gjendje. Kjo i lodh kaq shume sa kur detyrohen të vijnë tek dermatologu shpesh me vështirësi bashëpunojnë si duhet për të arritur rezultatin e duhur.

Pra është e domosdoshme që në stadet fillestare t’i drejtohen dermatologut për të pasur rezultatin e duhur dhe të çlirohen nga ankthi i acneve.

Mund të na flisni pak më gjerë për mjekimin e tyre ?

Siç e thamë edhe më lart kemi mjekimin lokal me kremra, me antibiotikë, retinoide, benzyl peroksid, acid azelaic etj, si dhe mjekimet nga goja si antibiotikë, retinoide etj. Përveç këtyre mjekimeve varet edhe nga shkaqet e tjera se çfarë mjekimi do të përdoret. Por kur këto mjekime jepen siç duhet dhe përdoren për aq kohë sa duhen rezultatet janë të shkëlqyeshme.

Në të njëjtën kohë mjeku dermatolog mund të ketë nevojë edhe për analiza si për shkakun e acneve ashtu edhe për zgjedhjen ose ndjekjen e mjekimit. Kështu është e domosdoshme të theksojmë edhe një herë se është mjeku dermatolog i vetmi që do t’i japë zgjidhje problemit të tyre.

Dhe së fundi çfarë do t’u thoshit pacientëve ?

Do t’u thosha se shkenca e dermatologjise ka arritur që ta zgjidhë këtë problem. Mos humbisni kohë me informacione të gabuara, apo me fjale nga njerëz jo specialistë. Kështu do të keni rezultatin që doni dhe nuk do të shpenzoni para të kota duke blerë ilaçe apo produkte që nuk dihet se sa do t’ju ndihmojnë. Dermatologu është ai që përveç ilaçeve do t’ju rekomandojë edhe produktet kozmetike për të cilat mund të keni nevojë.