Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

RËNDËSIA E LËKURËS

A e dini se çfarë është lëkura jonë ?

Ju e dini që lëkura jonë mbulon të gjithë trupin dhe që përcakton në shkallë të lartë pamjen tonë. Por ju nuk e dini se lëkura mund të "shohë", mund të "ndjejë", mund të "flasë", mund të "nuhasë" etj. Ju nuk e dini se lëkura jonë është organi më i ndërlikuar, përmbledh një sërë funksionesh të sistemeve të tjera si ai imun, respirator, sekretor, termoregulator, lidhor, muskular etj. Ju nuk e dini se lëkura përmbledh rreth 3000 sëmundje, pra më shumë se çdo organ tjetër.

Kështu të verbërit mund të "shohin" nëpërmjet prekjes së sendeve me lëkurën e duarve. Po të njëjtën gjë bëjmë edhe ne dermatologët për të diferencuar elementet e sëmundjeve nëpërmjet prekjes me lëkurën e gishtave. Lëkura mund të "ndjejë" të ftohtin, të nxehtin dhe të na mbrojë nga objektet e rrezikshme. Fëmijët ndjejnë nënën e tyre nëpërmjet kontaktit me lëkurën. Dhe dashurinë e ndjejmë nëpërmjet lëkurës. Lëkura mund të "flasë". Kështu me skuqjen ose djersitjen reflektojmë turpin, jemi në gjendje të sikletshme, ndërsa kur qimet tensionohen shprehim frikë. Por lëkura edhe "nuhat". Kështu shpesh nëpërmjet kruarjes, reaksioneve alergjike ne "nuhasim" ekzistencën në ajër të aromave, poleneve të ndryshme etj.

Pra lëkura na ndihmon në komunikimin me abjentin dhe njerëzit përreth duke na shtuar njohuritë në shkallë shumë të madhe, gjë që vështirë se mund t'a realizonim me shqisat e tjera.

Dhe të gjitha këto sepse lëkura është një nga organet më të komplikuara dhe kryen një sërë funksionesh që plotësojnë funksionin e organeve të tjera. Në lëkurë ndodhen qelizat e Langerhansit, të cilat kryejnë funksionet e sistemit imunitar. Si një organ endokrin ajo prodhon vitaminën D. Lëkura plotëson rreth 2 % të frymëmarjes sonë dhe ka funksion ekskretor të barabartë me funksionin e një veshke. Lëkura rregullon temperaturën e trupit dhe ruan lëngjet e organizmit. Kështu ne mund të jetojmë pa një veshkë, pa nje mushkëri, por jo pa 30 % të lëkurës sonë.

Të dhëna të përgjithshme mbi lëkurën

Sipërfaqja e lëkurës: Lëkura është organi më i madh i trupit të njeriut. Ka një sipërfaqe 1,5-2 m2. Por kjo varet edhe nga pesha, gjatësia, mosha dhe seksi i njeriut.

Trashësia e lëkurës: Lëkura ka një trashësi 0,4-4,75 mm pa shtresën dhjamore. Ajo ndryshon në vende të ndryshme. Po ashtu edhe shtresa dhjamore ka trashësi të ndryshme në zona të ndryshme të lëkurës. Kështu ajo mungon në kapakët e syve por në zona të tjera si bark, gjëndrat e qumështit dhe në të ndënjura arrin deri në 10cm trashësi. Pesha e lëkurës me gjithë shtresën e saj dhjamore përbën 16-20% të peshës së trupit.

Forma e lëkurës: Lëkura merr formën e indeve që ndodhen nën të duke u rrudhosur, ngritur ose thelluar në forma të ndryshme.

Relievi i lëkurës: Lëkura nuk është komplet e lëmuar. Ajo ka brazda të holla e të shkurtra që shkojnë në drejtime të ndryshme, duke krijuar figura gjeometrike trekëndëshe e rombike. Hullitë e lëkurës sidomod në duar krijojnë ato që quhen dermatoglife dhe kanë rëndësi në kriminalistikë sepse kanë karakteristika individuale për çdo njeri.

Foto 1. Dermatoglifet krijojnë figura karakteristike në mollëzat e gishtave. Figura ku dermatoglifet krijojne figura paralele rrethore quhet figurë rrethore (Whorl). Në majë të kreshtave vërehet fundi i kanaleve të djersës (vërehen disa pika djerse që dalin mbi sipërfaqen e lëkurës).

Fig 2. Kreshtat formojnë figurën e një laku ndaj quhen figura lakore.

Figura 3. Në sipërfaqen e lëkurës së duarve dhe këmbëve kreshtat formojnë ato që quhen triradius. Ndodh në vendin e takimit të tre zonave me kreshta paralele.

Ngjyra e lëkurës: Është e ndryshme dhe varet nga pigmenti që vendoset në të. Në zona të caktuara të trupit kemi pigmentim më të madh. Por ngjyra varet edhe nga sasia e gjakut në enët e gjakut të lëkurës (dallojmë mirë një anemik me ngjyre të zbehtë), por edhe nga proceset e ndryshme patologjike që ndodhin në të.

Anekset e lëkurës: Anekset e lëkurës janë aparate të veçanta që kryejnë funksione të rëndësishme në lëkurë. Këtu bëjnë pjesë flokët, gjëndrat e djersës, gjëndrat e yndyrës si dhe thonjtë.

Funksionet e lëkurës

  1. Funksioni mbrojtës
  2. Funksioni frymëshkëmbyes
  3. Funksioni përthithës
  4. Funksioni secretor
  5. Termorregullues
  6. Si pjesmarrës ne metabolizmin e lëndëve
  7. Funksioni si analizator
  8. Funksioni depozitues