Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

HERPESI I ORGANEVE GJENITALE

Çfarë  është herpesi i organeve gjenitale ?

Flasim për një infeksion akut të lëkurës dhe të mukozave, shkaktuar nga virrus human i herpesit (HSV), që shfaqet klinikisht me një grup flluckash në një terren të skuqur, me tendencë vetësherimi dhe shpesh me përsëritje. Në gjuhën popullore quhet fshika. Virusi ka dy tipe: tipi 1, shkaktar kryesisht i infeksioneve në lëkurë dhe mukoza (ajo që quhet fshika nga temperatura), dhe tipi 2, kryesisht në organet genitale.

Transmetimi i virusit ndodh nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të lekurës së sëmurë me lëkurën ose mukozat e një personi të shëndoshë. Zakonisht, infektimi me HVS 1 ndodh gjatë fëmijërisë nga pjesëtarët e infektuar të familjes, ndërsa infektimi me HSV 2 ndodh më vonë kur fillon jeta seksuale. Periudha e inkubacionit është 2-14 (mesatarisht 6 ditë).

Si shfaqet infeksioni në lëkurë ?

Karakteristikat bazë të sëmundjes janë:

1.Shenja paraprake si, kruarje ose ndjenja e shpimit.

2. Fllucka të grupuara.

3. Skuqje në bazë të grupit të flluckave.

4. Flluckat kanë tendencë drejt qelbëzimit.

5. Kohëzgjatja 10-14 ditë. Shpesh sëmundja përsëritet në distance të caktuar kohore duke e bërë sëmundjen shpesh shumë shqetësuese.

Infeksionet përsëritëse

Te gjitha infeksionet përsëritëse ndahen ne dy kategori:

Përsëritëse në te njëjtin vend dhe përsëritëse në lokalizime të ndryshme. Klinika është e njëjtë. Lokalizimi mund të jetë në organet genitale ose në zonat përreth bile edhe më larg. Në herpesin gjenital meqenëse vezikulat (flluckat) çahen, zakonisht shohim vetëm ulceracione të cilat janë të dhimbshe. Te gratë mund të lokalizohet në organet gjenitale të jashtme dhe të brendshme deri në qafën e mitrës.  Duhet të tregohet kujdes sepse një lokalizim i tillë permban rrezikun e shndërrimit malinj.

Te disa persona infeksionet përsëritëse të herpes simplex mund të shoqërohen me erithemë polimorfe.

Foto 1: Në herpesin gjenital meqenëse vezikulat (flluckat) çahen, zakonisht shohim vetëm ulceracione të cilat janë të dhimbshe.

Si bëhet diagnoza e herpesit gjenital ?

Historiku i sëmundjes dhe klinika e qartë e bëjnë diagnozën të lehtë por kërkimi i antitrupave ndaj HSV1 dhe 2, kultura virale, Tzank test për gjetjen e qelizat gjigante multinukleare, mund të ndihmojë në rastet e dyshimta.

Foto: Fllucka me qelb.

Cili është mjekimi i herpesit ?

Në format e lehta mjekimi lokal është i mjaftueshëm. Përdoret krem aciklovir 5 herë në ditë. Mjekimi sistemik përdoret në rastet e rënda. Barnat që përdoren janë Acyclovir, Valacyclovir, Famciklovir etj. Kur kemi përsëritje më shumë se 6 herë në vit, bëhet terapia shtypëse deri në 6 muaj.

Masat profilaktike nga sëmundja

Recidivat mund të nxiten nga infeksionet me temperaturë, menstruacionet, marrja e disa ushqimeve, stresi psiqik, traumatizimi (duke përfshirë edhe procedurën e kontaktit seksual). Kështu të semurët me infeksione rekurente duhet të marrin masa të mos përhapin infeksionin nëpermjet kontaktit seksual. Ndalohet kontakti deri në mbylljen e plagëve të shkaktuara nga elementet e sëmundjes. Sëmundja mund të përhapet nga të semurët me herpes të fytyrës në organet genitale nëpërmjet kontakteve stomatogjenitale. Gjithashtu kujdes të veçantë duhet të kenë të sëmurët me dermatit atopik.