Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

KONDILOMA AKUMINATA

Çfarë është kondiloma akuminata ?

Eshtë sëmundje infektive virale e lekurës dhe e mukozave, e shkaktuar nga një virus që quhet papiloma virusi human (HPV) dhe që shfaqet me rritje nga disa mm dhe në raste të neglizhencës së mjekimit edhe disa cm. Shfaqen më shpesh në zonat genitale dhe rreth tyre. Konsiderohet edhe si sëmundje që transmetohet gjatë kontaktit seksual. Sëmundja quhet ndryshe dhe lythet (lezet, bastravicat) gjenitale (verruce gjenitale).

Shpeshtësia më e madhe i përket moshës rreth 20 vjeç, por mund të shfaqen në çdo moshë bile edhe në moshën më të vogël që në këtë rast lidhen me një infektim gjatë lindjes.

Si përhapet shkaktari i kondilomave në lëkurë ?

Papiloma Virusi Human është shkaktari i kësaj sëmundjeje dhe bën pjesë në familjen e viruseve që shkaktojnë edhe lezet e zakonshme, që i shohim shpesh në duar. Brenda familjes ata kanë numra të ndryshëm për t’u dalluar nga njeri tjetri si 6,7, 11, 42, 44. Kjo ka rëndësi sepse disa nga këto viruse kanë rrezikun e madh që në qoftë se neglizhohen për vite e vite me rradhe mund të japin atë që quhet kanceri i qafës së mitrës tek gratë.

Në 1-2 % të rasteve, kondilomat shkaktohen nga virusi i verruce vulgaris dhe në këtë rast shoqërohet me verruce vulgare në pjesë të tjera të trupit. Dëmtimet e tërësisë së lëkurës (lëngëzimet, irritimet, defektet epiteliale) ndihmojnë penetrimin e virusit. Shtatzënia, infeksionet lokale të organeve gjenitale tek gruaja që shoqërohen me rritje të sekretimeve vaginale dhe uretritet tek burrat, parazitozat e zorrëve ose përdorimi lokal i kortizonikëve, favorizojnë zhvillimin e kondilomave dhe formimin  e elementeve në rritje të vazhdueshme.

Si është pamja e tyre ?

Periudha e inkubacionit (periudha nga infektimi deri në shfaqjen e elementeve në lëkurë) është llogaritur nga 1 deri në 8 muaj. Klinikisht elementet shfaqen si elemente papuloze ose papilomatoze, të buta, në ngjyrë rozë, të zgjatura ose filiformë, me bazë të gjerë ose shpesh në formë pedunkuli. Duke u shumëzuar me anë te autoinokulimit ato mund të bashkohen dhe të formojnë pllaka të mëdha që shpesh marrin formën e lulelakrës. Elementet lokalizohen kryesisht në mukozën e organeve gjenitale por edhe në zonën përreth. Lokalizimi mund të shtrihet edhe në ureter, në vaginë, qafën e mitrës si dhe rrallë ne fshikzën e urinës. Lokalizime të tjera jashtë gjenitale janë në mukozën e gojës, këndet e buzëve, faring, konjuktiva etj.

Foto: Kondiloma e neglizhuar për shumë kohë pa mjekim.

Cili është mjekimi ?

Qëllimi i mjekimit është shkatërimi i elemnteve me azot të lëngshëm, heqje kirurgjikale, termokauter, ose me lazer. Mund të bëhet mjekim lokal me podophyllotoxin, imiquimod, 5-fluoruracili, bleomicina, acidi mono, di, trikloracetik  etj. Në rastet rezistente terapia mund të kombinohet me inj. Interferoni.

Parandalimi i tyre bëhet me anë të vaksinës, e cila është zbuluar vitet e fundit. Këshillohet të gjitha vajzat të bëjnë këtë vaksinë para fillimit të jetës seksuale.