Kontrolli i shenjave në lëkurë
Mësoni vetë se çfarë ndodh në trupin tuaj dhe komunikoni menjëherë me dermatologun për një ekzaminim individual. Vendosni të dhënat tuaja në formatin e mëposhtëm dhe lexoni një vlerësim të përgjithshëm.
Të gjitha shenjat dhe karakteristikat që përshkruhen në vetëvlerësimin tuaj janë të një karakteri të përgjithshëm dhe mund të mos shprehin saktë gjendjen ose sëmundjen tuaj. Për këtë arsye është i nevojshëm ekzaminimi tek dermatologu.

BIOPSIA E LEKURES

Biopsia e lëkurës

Biopsia e lëkurës është një nga analizat më të shpeshta laboratorike që kryhen në klinikën tonë. Kjo procedurë kërkon anestezi lokale, nuk ka dhembje dhe kryhet në pak minuta. Kjo analizë e detyrueshme përcakton diagnozën e tumoreve malinj, të sëmundjeve autoimmune të lëkurës dhe të disa dermatozave të tjera.

Biopsia e lëkurës është një ndërhyrje e vogël e kryer nga dermatologu në ndihmë të përcaktimit të një diagnoze. Gjatë kësaj procedure mjeku me anë të një vegle të veçantë (punch) merr një copë të vogël lëkure, të cilën e dërgon për analizë histologjike. Mjeku anatom-patolog pas përpunimit që i bën, e studion me kujdes në mikroskop dhe nxjerr përfundimin e duhur.

Foto 1. Punch është një bisturi në formën e tubit e cila e bën marrjen e biopsisë më të lehtë kur kërkohen pjesë deri disa mm të lëkurës.

Në qoftë se kërkohet që të ekzaminohet lëkura në pjesë më të mëdha ose më thellë, atëherë bëhet biopsia kirurgjikale.

Foto 2. Ind i lëkurës i marrë me punch dhe i konservuar në formalinë. Në këtë formë dërgohet në laboratorin anatomopatologjik.

Arsyet e kryerjes së biopsisë janë:

  1. Vendosja ose vërtetimi i diagnozës
  2. Vëzhgimi i sëmundjes
  3. Përcaktimi i shkallës dhe stadit të tumorit

Përpara marrjes së biopsië kryhet gjithmonë anestezia lokale.

Biopsia e lëkurës është një procedurë rutinë në dermatologji, ndaj pacienti nuk duhet të shqetësohet kur mjeku e kërkon (në shumicën e rasteve njerëzit e lidhin biopsinë me sëmundjet kanceroze). Mjeku dermatolog duhet t’i spiegojë pacientit shkakun e sëmundjes dhe ndihmën që i jep biopsia në vërtetimin e diagnozës së saj.